Prindërimi në periudhën e izolimit

Nelt avatar Nelt 30.04.2020.

Gjendja e jashtëzakonshme, ora policore, ndalimi i lëvizjes…

Gjendja e jashtëzakonshme, ora policore, ndalimi i lëvizjes, shkollat dhe kopshtet e mbyllura, parqet e mbyllura, trajnimet dhe të gjitha aktivitetet jashtëshkollore të anuluara, si dhe shoqërimet që janë minimizuar – si t’ua shpjegojmë fëmijëve se të gjitha këto po ndodhin për dobi të tyre dhe të familjeve të tyre? Sa e vështirë ishte që t’ia shpjegoni këtë vetvetes e lëre më të bëheni pastaj shembull që përcjell qëndrimin tuaj pozitiv edhe te rrethi juaj?

Për më tepër, tani gjithçka do të fillojë ngadalë të kthehet në rutinën e vet të zakonshme, e cila në të vërtetë nuk do të jetë aq e zakonshme edhe për një kohë të gjatë. Tani është përsëri e nevojshme t’ia shpjegojmë edhe atë gjendje të re vetës dhe fëmijëve. Mirëpo, ekziston një mënyrë si të kalojmë të gjithë nëpër krejt këto me sa më pak dhimbje.

Pa marrë parasysh nëse jemi prindër ose kemi ndonjë fëmijë në rrethin tonë të afërm, qoftë nëse dëgjojmë nga miqtë tanë për atë me çka po përballen, ose vet po e përjetojmë atë në baza ditore, është e rëndësishme të kuptojmë se si mund t’i ndihmojmë këta të vegjël të dalin nga kjo situatë edhe më të fortë. Prandaj, kushtoni vëmendje të veçantë rreshtave vijues, nuk e dini kurrë se kur ose si mund të jenë të dobishëm për ju.

Çdo fëmijë do të reagojë ndryshe ndaj situatës së sapo krijuar, e në çfarë mënyre, do të varët nga shumë faktorë siç janë mosha, personaliteti i fëmijës, përvojat e mëparshme stresuese ose traumatike. Sidoqoftë, prindërit dhe të afërmit nga rrethi janë patjetër personat që mund të luajnë rol kyç dhe në masë të madhe të ndikojnë në reagimin e fëmijëve. Nëse i qaseni situatës me qetësi dhe vetëbesim, do t’iu krijoni fëmijëve një atmosferë në të cilën do të ndjehen të sigurt. Për këtë arsye është shumë e rëndësishme të kujdeseni për veten, sepse kur jeni të pushuar, të qetë dhe të përgatitur, do të jeni më së shumti të dobishëm për fëmijët tuaj dhe në mënyrën më adekuate do t’i përgjigjeni nevojave të tyre.

 

Si të bisedojmë me fëmijët për pandeminë e virusit korona?

Fëmijët ndoshta vështirë do të kuptojnë vet gjithçka që shohin në internet, televizion, ose që dëgjojnë nga njerëzit e tjerë, kështu që ata mund të jenë veçanërisht të prekshëm ndaj ndjenjave të stresit dhe shqetësimit.

Bëhuni ju burim i informimit të fëmijës për situatën aktuale. Përpiquni të shmangni ekspozimin ndaj pamjeve dhe informatave dramatike, veçanërisht ndaj përsëritjes së tyre.

Bëhuni të sinqertë! Filloni duke ftuar fëmijën të diskutojë për problemin, bëni pyetje për të kuptuar se sa di tashmë dhe udhëzohuni nga kjo. Shkurt dhe qartë, në përputhje me moshën e fëmijës, i ofroni informata themelore për atë çfarë po ndodhë në botë. Këshilla është që të mos jeni tepër të gjerësishëm dhe të mos përdorni fjalë dhe shprehje të panjohura dhe të paqarta për fëmijët.

Nëse fëmija është i frikësuar ose i brengosur për sigurinë e vet, veçanërisht tani kur masat e përcaktuara nga shteti po zvogëlojnë ngadalë intensitetin e tyre, ia sqaroni se është normale të ndjehen të frikësuar nga këto situata, por gjithashtu ia bëni me dije që jeni aty për t’u kujdesur për të.

Tregojini fëmijës edhe aspektet pozitive të situatës, për shembull, që të gjithë shkencëtarët më të mirë janë duke punuar për të gjetur ilaçin ose që një numër shumë i madh i njerëzve që sëmuren, shumë shpejt edhe shërohen.

Mbajeni një baraspeshim në qasjen tuaj, mos e dramatizoni duke përdorur fjalët “tmerr” ose “katastrofë”, por mos e minimizoni seriozitetin e situatës.

Mos ikni nga tema. Nëse fëmija ju bën një pyetje për situatën aktuale, përgjigjuni, dhe nëse nuk e dini përgjigjen, kërkojeni atë së bashku.

Vazhdimisht tregojini fëmijës se çfarë mundet dhe çfarë duhet të bëjë për të qëndruar i shëndetshëm: të pushojë, të konsumojë ushqime të ndryshme dhe të shëndetshme, të lajë rregullisht duart, të mos e prekë fytyrën, të shmangë prekjen e gjërave jashtë, të mbulojë gojën dhe hundën me bërryl gjatë kollitjes ose teshtitjes…
Nëse është e përshtatshme për moshën e fëmijës, mund të vizatoni së bashku një udhëzues për kthim në jetën e përditshme pas zbutjes së epidemisë.

Është shumë e rëndësishme të mos e lemë fëmijën as andej as këndej. Përkujtojuni fëmijëve se gjithmonë mund të flasin me ju për çdo temë të vështirë. Tregojuni dhe thuajuni që po i dëgjoni dhe që jeni në dispozicion të tyre kur ndjehen të brengosur.

 

Aktivitete dhe lojëra në kohën e izolimit në shtëpi

Të gjithë e dimë se shumica e fëmijëve edhe në një situatë të rregullt kanë nevojë më të madhe sesa i rrituri mesatar për të lëvizur dhe qëndruar jashtë. Në këtë situatë, kjo nevojë shumëfishohet tepër. Ajo që mund ta lehtësojë situatën, si për prindërit ashtu edhe për fëmijët, është bërja e orarit të aktiviteteve të përditshme. Përcaktimi i rutinës ditore që përfshin zgjimin, oraret e ushqimit, detyrat e punës, kohën për t’u shoqëruar, aktivitetet e kohës së lirë, shkuarjen për të fjetur, ofron një ndjenjë të sigurisë dhe të parashikueshmërisë në një situatë kur nuk dihet se çfarë do të ndodhë. Është e dëshirueshme që koha e zgjimit, e fjetjes dhe e ngrënies nga dita në ditë të jetë përafërsisht e njëjtë, dhe që gjumi të jetë i mjaftueshëm. Bëni orarin së bashku, por bëhuni fleksibël.

Ashtu siç na ndodhë neve ta kemi të vështirë të përqendrohemi në punë në rrethana të ndryshuara, e njëjta gjë iu ndodhë fëmijëve me mësimin. Mos ua zini për të madhe, sepse në këto rrethana është e pritur dhe paraqet një sinjal se na nevojitet relaksimi dhe një plan i mirë i aktiviteteve, si të atyre që kanë të bëjnë me shkollën, ashtu edhe të atyre që kanë të bëjnë me pushimin dhe argëtimin.

Për këtë arsye orari është shumë më i rëndësishëm tani se zakonisht!

Në planin e aktiviteteve tuaja dhe të fëmijëve mund të përfshini edhe përgatitjen e ushqimit dhe punët e shtëpisë, sepse përveç që kjo iu mëson fëmijëve shkathtësitë e nevojshme për jetë dhe përgjegjësi, mund të jetë mënyrë e shkëlqyeshme për t’u shoqëruar, por edhe ju ndihmon juve.

Mënyrë e mirë për të larguar vëmendjen nga shqetësimi është edhe ndihma ndaj të tjerëve dhe për këtë arsye ua mësoni fëmijëve humanizmin. Nëse janë mjaft të rritur që të mund të ndihmojnë të moshuarit me hedhjen e mbeturinave ose shkuarjen për blerje, i inkurajoni ta bëjnë këtë dhe lavdërojeni mundin e tyre.

Krahas të gjithave që u përmendën, orari i fëmijëve medoemos duhet të përmbajë edhe kohën për lojë. Sa më kreative dhe më e ndryshme të jetë ajo lojë nga çfarë bëjnë çdo ditë, aq më interesante do të jetë për ta.
Në vazhdim janë disa sugjerime për aktivitete që mund t’ju ndihmojnë të plotësoni orarin, por edhe të nxitni imagjinatën tuaj dhe ndoshta së bashku me fëmijët të sajoni disa lojëra të reja të përshtatura për moshën e fëmijës.

 

Aktivitete për fëmijë më të vegjël

 

Piratët

Bëni të gjithë si familje maska ose mbulesë të syrit prej letre dhe llastiku, lidhni shaminë mbi kokë dhe vizatoni mustaqet dhe shenjat e plagëve me laps ngjyrues. Pastaj – nisuni për të kërkuar thesarin! Përdorni batanijet dhe jastëkët për të bërë një anije, tepihu mund të përfaqësojë një ishull, dhe thesari mund të jenë lodrat e preferuara ose ndonjë ëmbëlsirë e fshehur në mesin e mobileve ose e varur në një leckë në një skutë. Mund të bëni edhe hartën e cila çon deri te thesari.

Mos harroni se udhëtimi i piratëve nuk është kurrë i lehtë! Luftoni kundër ndërhyrësve, luftoni me shpata, hulumtoni thellësitë e oqeanit dhe rrethinën e ishullit tropikal… Imagjinoni dhe argëtohuni, duke u marrë veshë për rregullat dhe duke luajtur rrëfimin tuaj.

Më gjej

Merrni një copë pëlhure dhe bëni një xhep më të madh ose thjesht merrni një çantë prej pëlhure që keni në shtëpi dhe mbylleni me kapëse rrobash ose me furqeta flokësh. Në xhep ose në çantë vendosni sende të ndryshme të imëta: sfera qelqi (klikera), pulla, topa të vegjël, kapëse rrobash, kapakë të shisheve,…
Përmes prekjes me gishta qëllojani me fëmijën se për cilin send bëhet fjalë ose ia caktoni njëri-tjetrit sendin të cilin do ta kërkoni.

 

Aktivitete për fëmijë më të rritur

 

Rrëfime nga albumi familjar

Mblidhni fotografi të ndryshme familjare. Së pari, shikoni fotografitë së bashku me fëmijët tuaj, tregoni emrat e njerëzve që janë në to dhe pastaj së bashku bëni një album familjar. Për bërjen e albumit ju nevojiten një fletore, ngjyrat e drurit, fllamasterat, etiketat ngjitëse, ngjitësi, shiritat dekorues dhe çfarëdo që mendoni se mund të përdoret për këtë qëllim dhe që e keni në shtëpi. Lëreni fëmijën të zgjedhë fotografitë të cilat do t’i vendosë në album. Rreth secilës fotografi ia tregoni një rrëfim – si u krijua dhe kush është në fotografi. Mundohuni të ju kujtohet rrëfimi për secilin person në fotografi, diçka që është e rëndësishme, qesharake, e çuditshme ose e pazakontë.

Asociacionet

Për këtë lojë mjaftojnë dy veta por mund ta luani edhe në çifte. Çdo lojtar duhet të sajojë një numër të caktuar termash dhe t’i shkruajë ato në copa letre – lejohet gjithçka përpos emrave të vet, ndërsa termat nuk do duhej të ishin shumë të vështirë për t’u shpjeguar. Të gjitha copat e letrës me termat e caktuara futen në “kapelë” (qese, çantë, enë – çfarëdo që keni afër), ndërsa lojtarët i tërheqin me renditje të caktuar dhe duke vizatuar ia shpjegojnë termin e tërhequr çiftit të tyre. Bashkëlojtari ka 45 sekonda për të qëlluar se për cilin term është fjala.

 

Aktivitete kreative dhe të pavarura

Nëse në një kohë të caktuar të ditës nuk mund t’i përkushtoheni fëmijëve, mund t’iu jepni detyra kreative të cilat mund t’i kryejnë në mënyrë të pavarur.

 

Vizatime sipas temave të dhëna

Fëmijët mund të bëjnë vizatime sipas temave të ndryshme të dhëna, disa prej të cilave janë:

  • Po të kisha super fuqi, si do të dukej bota?
  • Çka do të bëhem kur të rritem?
  • Po të isha kafshë, cila do të isha?
  • Vendi im nga imagjinata.

Krijesat nga shkarravinat

Vizatoni një shkarravinë nëpër tërë fletën. Pastaj, në shumë vende shtoni sytë, gojën, hundën, mustaqet, vijat, pikëzat, etj. Në këtë mënyrë, fëmijët mund të krijojnë punime origjinale me krijesa të ndryshme.

Vizatoni gjysmën që mungon

Detyra është që të vizatohet gjysma që mungon. Këto mund të jenë insekte, automjete, gjësende ose personazhe, varësisht nga mosha dhe interesimi i fëmijës. Fokusi këtu është te simetria, vëzhgimi, detajet, numërimi dhe zhvillimi i shkathtësive të mira motorike dhe aftësive vizatuese.

Përfundo vizatimin

Preni fotografi interesante nga gazetat dhe revistat dhe ngjitni vetëm një pjesë të fotografisë në letër. Detyra është të përfundohet vizatimi në bazë të temës së dhënë me sa më shumë detaje (të imagjinuara). Mund të ngjitni edhe disa elemente interesante të cilat do të ndihmojnë që vizatimi të jetë më i plotë dhe më interesant.

 

Edhe pse mund të jetë sfiduese, është shumë e rëndësishme që të ndajmë kohën për fëmijët në këto rrethana, t’iu kushtojmë vëmendje të plotë dhe t’iu ofrojmë mbështetjen e nevojshme. Përcillni ndryshimet te fëmijët si në sjellje, shprehje, ashtu edhe në lojë dhe pamje, pasi ato mund t’ju drejtojnë në hapat që duhet të ndërmerrni.

Më e rëndësishmja nga të gjitha, bëhuni shembull për fëmijët, silluni në atë mënyrë siç dëshironi që ata të sillen. Hani shëndetshëm, flini mjaftueshëm, përfshini aktivitetin fizik në rutinën tuaj të përditshme, relaksohuni, kujdesuni për veten, bëni atë që ju pëlqen.

Situata në të cilën gjendemi të gjithë është sigurisht sfiduese dhe kërkon angazhim shtesë nga ju si prind, por ajo që është gjithashtu e sigurt është se nuk do të zgjasë përgjithmonë. Në këtë drejtim, është më së miri të planifikoni aktivitete me fëmijët në nivel ditor, afatshkurtër. Mos u bëni kritikues i ashpër ndaj vetvetes, sepse kur jetët tona të kthehen në rrjedhat e zakonshme dhe kur të keni mundësi ta shihni këtë periudhë nga një distancë kohore, me siguri do të jeni krenar që keni arritur të mbeteni prind i mirë!