Stresi si pjesë e imja dhe e rrethit tim

Nelt avatar Nelt 27.04.2020.

Reagim i zakonshëm në situatë të pazakonshme.

Pandemia globale e virusit të koronës ka shkaktuar një sërë ndryshimesh si brenda nesh, ashtu edhe brenda rrethit tonë. Situata në të cilën gjendemi aktualisht kërkon prej neve që të përshtatim shprehitë tona të jetës dhe punës, si dhe të ndryshojmë mënyrën se si shoqërohemi dhe komunikojmë. Pasi që jemi në një gjendje që është e papritur dhe nuk mund ta kontrollojmë, ndjenja e shqetësimit dhe stresit shfaqet më shpesh se kurrë më parë.

Ballafaqimi me një situatë që është e ndryshme dhe e paparashikueshme na shtynë në rishqyrtime të vazhdueshme: si të qëndrojmë produktiv në punë, si të përfundojmë detyrat e punës, si të përfundojmë detyrat e punës krahas obligimeve familjare në shtëpi, si të kontrollojmë fëmijët dhe obligimet e tyre, si (nëse jetojmë të vetëm) të arrijmë t’i bëjmë të gjitha dhe të mos ndjehemi të vetmuar, si të qëndrojmë të shëndetshëm, si të mbrojmë familjen, si të kemi edhe më tej përditshmërinë që kemi pasur deri tani, si të dimë se çfarë do të ndodhë më pas…

Me këto pyetje përballen shumica e njerëzve. Është e rëndësishme të dini se ky është reagim i zakonshëm në situatë të pazakonshme. Kur t’ju kaplojnë brengat, thuajini vetes: “Po, vështirë e kam, por nuk jam i vetmi në këtë situatë. Të gjithë po kalojnë nëpër këtë situatë”.

Në rrethin tonë dhe të folurit tonë,  stresi  është dukuri e shpeshtë që shoqërohet me konotacion negativ – Stresi lind si rezultat i përvojës negative ose sikletit. Kur shikohet nga një këndvështrim, mund të themi që është ashtu. Sidoqoftë, stresi ka edhe anët e tij pozitive. Me siguri pyeteni se në çfarë mënyre stresi sjell diçka të mirë? Përgjigja qëndron pikërisht brenda vetës sonë, në perceptimin tonë të ndonjë ngjarjeje. Stresi, gjithashtu mund të jetë një nga nxitësit më të fortë që na motivon për të ndryshuar sjelljen tonë, për të marrë ndonjë vendim, për të ndryshuar rrethanat, për të gjetur një mënyrë që të ndjehemi më mirë.

Përkundër kësaj, reagimi i parë i shumicës së njerëzve ndaj stresit do të jetë negativ, dhe kjo është në rregull; është në rregull të pranojmë se tani nuk jemi mirë. Është në rregull që gjithçka nuk mund të jetë e përkryer, është në rregull që nuk mund të arrijmë gjithçka, është plotësisht në rregull të tregojmë dobësinë tonë dhe të themi se si ndjehemi.

Çka është stresi?

Stresi paraqet rezultatin e përjetimit tonë se disa gjëra i tejkalojnë mundësitë tona; stresi paraqet një pjesë të perceptimit tonë të realitetit dhe si ne e perceptojmë atë realitet (Burimi: “Koronavirus i mentalno zdravlje: psihološki aspekti, saveti i preporuke (Koronavirusi dhe Shëndeti Mendor: Aspekte, Këshilla dhe Rekomandime Psikologjike)” Dr. sc. Ljiljana Muslić). Çdo ngjarje e cila ndikon në ndryshimin e funksionimit tonë aktual dhe kërkon nga ne të ndryshojmë shprehitë tona paraqet një lloj stresi në vetvete. Është e pashmangshme që prania e stresit të krijojë një ndjenjë të rraskapitjes, si në kuptimin psikik ashtu edhe atë fizik, qoftë ai stres pozitiv apo negativ.

Si e dimë kur stresi për ne është pozitiv dhe kur është negativ?

Shumica thonë që stresi është si një “filxhan me kafe”. Nëse e mbajmë filxhanin në dorë për disa minuta, kjo është në rregull. Mirëpo, nëse e mbajmë për disa orë, dora jonë fillon të na dhemb, dridhemi, muskujt na lodhen, mendimet na shkojnë vetëm te filxhani që e mbajmë në dorë. E njëjta ndodh me stresin. “Mbajtja e filxhanit” në dorë për një kohë të gjatë mund të çrregullojë plotësisht organizmin tonë, ku si rezultat është – funksionimi i përditshëm i vështirësuar. Atëherë organizmi jonë na dërgon porosi “mos harro të lëshosh poshtë filxhanin”, domethënë, të shohim ngjarjet që ne i perceptojmë si stresuese në një mënyrë tjetër, dhe të përshtatim sjelljen tonë ndaj situatës në të cilën gjendemi. Me atë rast, intensiteti i stresit do të zvogëlohet dhe ne do ta shikojmë atë ndryshe.

Çka mund të bëjmë në situatën aktuale që stresi të jetë me intensitet më të ulët?

Në kohë krize dhe në situata të paparashikuara, kemi ndjenjën se nuk mund të tejkalojmë vetë gjithçka që po ndodh duke përdorur mënyra të zakonshme për të përballuar stresin. Me siguri tashmë i kemi dëgjuar shumicën e rekomandimeve dhe këshillave dhe i kemi “lënë mënjanë” ato. Mirëpo, është e rëndësishme të jemi të vetëdijshëm se në prapavijë të shumicës së këtyre këshillave qëndrojnë hulumtime voluminoze. Rezultatet e hulumtimeve mbi përballimin e stresit tregojnë se pranimi i këshillave të caktuara ndikon pozitivisht në mirëqenien e përgjithshme të organizmit, krijimin e ndjenjës së sigurisë dhe marrjen e kontrollit mbi situatën. Prandaj, lexoni me kujdes se çfarë vijon, pasi është e mundshme që ndonjë nga metodat e mëposhtme mund të jetë shumëfishtë e dobishme për ju.

Pa marrë parasysh se përditshmëria jonë nuk është e njëjtë, është e rëndësishme që të kemi plan ditor. Nuk ka rëndësi se çfarë do të bëjmë atë ditë, nëse ato gjëra janë jashtëzakonisht të rëndësishme apo jo, nëse ato janë obligime private apo të punës… E rëndësishme është të planifikohet – kush shkon për blerje, kush kujdeset për fëmijët, kur do t’i bëj punët e mia, kur do të kem takime, kur do të ushtroj, kur do të flas me miqtë… Plani mund të bëhet në nivel ditor ose javor. Përditshmëria e planifikuar ditore jep ndjenjë të sigurisë dhe zvogëlon ndjenjën e paqartësisë se çfarë do të ndodh.

Rekomandimi i dytë është komunikimi. Edhe pse tubimi me njerëzit e dashur aktualisht është i ndaluar, kjo nuk na pengon të mbajmë kontakt me ta. Mund të bisedojmë me njerëzit përreth nesh, mund të bisedojmë me kolegët, t’i pyesim si ndjehen, t’iu tregojmë si ndjehemi, nëpër çfarë po kalojmë, t’i shfaqim ndjenjat tona ndaj të tjerëve – është në rregull që secili prej nesh të shfaq emocione.

Hapi tjetër është të tregojmë se e kuptojmë njëri-tjetrin, se gjendemi pranë tyre dhe që mund t’iu ndihmojmë – kjo paraqet veprimin që mund të lehtësojë frikën e dikujt dhe të zvogëlojë stresin – është dëshmuar se kultivimi i marrëdhënieve dhe ndihma ndaj të tjerëve është thelbësore dhe kjo do të na bëjë edhe ne më të lumtur.

Ndryshimet e shpeshta të disponimit tani janë normale – dikush është i pikëlluar, dikush është i zhgënjyer, dikush është i frikësuar… Dhe të gjitha këto janë në rregull. Kur vërejmë ndjenjën e shqetësimit, duhet të ndalemi, të ndajmë 2-3 minuta, të mendojmë se çfarë po ndodh tani, çfarë po ndjejmë në trupin tonë, cilat janë ato ndjenja që mund t’i identifikojmë. Pas kësaj, i shtrojmë pyetjen vetes: “Çfarë është ajo që mund të bëj tani që do të më bëjë të ndjehem më mirë?”. Përgjigja më së shpeshti do të jetë “Të pranoj gjërat ashtu siç janë”.

Ekspozimi jonë ndaj informatave të ndryshme në nivel ditor është i madh. Nëse pyeteni a është i nevojshëm në atë masë, përgjigjja është se në të vërtetë nuk është. Sa më shumë informata shqetësuese që dëgjojmë, aq më e madhe është brengosja, tensionimi, dhe për rrjedhojë rritet stresi. Ne bëhemi më të ndjeshëm dhe më të lëndueshëm. Prandaj, le të përpiqemi të arrijmë një ekuilibër të informimit të mjaftueshëm – është e domosdoshme të kemi informata themelore, por rekomandohet që lajmet mbi temën e virusit të dëgjohen ose të lexohen në maksimum një ose dy herë në ditë dhe vetëm nga burime të verifikuara (këto mund t’i shtojmë në planin tonë ditor). Rekomandohet që të mos i lexojmë lajmet para gjumit, pasi ato mund të shkaktojnë pagjumësi. Për më tepër, le të përpiqemi të mos e marrim si të “mirëqenë” çdo histori që e kemi dëgjuar nga të njohurit dhe miqtë, sepse secili prej nesh ka tendencë të përgjithësojë histori të tilla dhe të interpretojë një rast si rregull. Shumë shpesh, historitë që në atë mënyrë vijnë deri te ne janë ritreguar shumë herë më parë, dhe kushdo që i ka ritreguar ka shtuar ndonjë përvojë dhe element të tij, gjë që mund të çojë në atë që historia të shtrembërohet në mënyrë të konsiderueshme dhe të jetë e pavërtetë. Duhet ta keni këtë parasysh.

Kur të ndodhë që nuk mund të frenojmë mendimet tona, atëherë rekomandimi është të përdorim teknikat e thjeshta të relaksimit. Detyra e tyre është të rregullojnë punën e hormoneve të stresit dhe të na drejtojnë të ndalojmë mendimet negative dhe kështu ta drejtojmë vëmendjen tonë në diçka tjetër. Teknika që quhet “5, 4, 3, 2, 1” është shumë e thjeshtë dhe mund të na ndihmojë në këtë detyrë brenda një kohe të shkurtër. Ajo na kthen në këtu dhe tani, në atë që po ndodh aktualisht, e shkëput vëmendjen tonë nga mendimet tona negative dhe na drejton në diçka neutrale që nuk na ngarkon. Për ta bërë atë, ndjekim udhëzimet vijuese:

  • Tërhiqemi në një vend më të qetë
  • Paramendojmë pesë tinguj në të cilët mund të përqendrohemi
  • Paramendojmë katër ngjyra që mund t’i shohim
  • Paramendojmë tri prekje që mund t’i ndjejmë
  • Pastaj dy shije
  • Dhe në fund, paramendojmë diçka që mund të nuhasim
  • Nevojitet të qëndrojmë me ato mendime sa më gjatë që mundemi

Krahas teknikave të relaksimit mund të mbështetemi gjithmonë edhe në aktivitetin fizik. Pse është ky i rëndësishëm për ne? Aktiviteti fizik ndikon në mirëqenien tonë fizike, mendore, emocionale, intelektuale dhe madje edhe në atë sociale. Përmes ushtrimit vijmë deri te zvogëlimi i nivelit tonë të stresit në organizëm dhe kështu e drejtojmë atë në një përjetim pozitiv. Gjithashtu, ushtrimi i rregullt rrit nivelin e dopaminës dhe serotoninës në tru, hormone që janë të lidhura me rritjen e kënaqësisë. Kur përmbledhim të gjitha, ushtrimi ndikon në ndjenjat, mendimet dhe emocionet tona dhe na bën më të përmbushur.

Mbani mend – gjithçka nëpër çka po kalojmë është reagim i zakonshëm në situatë të pazakonshme. Kjo është situatë nga e cila secili prej nesh do të del me përvojë të re, e cila përfaqëson forcën për të gjitha sukseset e ardhshme.

Nëse ndodh që stresi të rritet dhe ndjehemi të kapluar nga emocionet, kjo është në rregull. Secili nga ne përjeton stresin në mënyrë tjetër dhe secili e trajton atë ndryshe. Mirëpo, nëse na duket se këto ndjenja po zgjasin tepër shumë ose nëse janë me intensitet të tepruar, është në rregull të kërkojmë mbështetje.